AKTIVITET TRAJNUES: “Marrëdhënia ndërmjet juridiksionit administrativ dhe juridiksionit kushtetues” - 10 qershor 2026

Shkolla e Magjistraturës më datë 10 qershor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Marrëdhënia ndërmjet juridiksionit administrativ dhe juridiksionit kushtetues. Kufijtë e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese mbi vendimet e Gjykatës së Lartë dhe rreziku i shndërrimit të saj në instancë të katërt. Funksioni kushtetues i Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor përballë funksionit të Gjykatës Kushtetuese”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Sokol Sadushi, Arta Vorpsi

Lehtësues: Enisa Shahini

Qëllimi i këtij trajnimi është: Të analizojë marrëdhënien ndërmjet juridiksionit administrativ dhe juridiksionit kushtetues, duke identifikuar kufijtë e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese mbi vendimet e Gjykatës së Lartë dhe rrezikun e shndërrimit të saj në një instancë të katërt. Trajnimi synon gjithashtu të sqarojë funksionin kushtetues të Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor, si gjykata më e lartë për interpretimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, përballë funksionit të Gjykatës Kushtetuese si garante e kushtetutshmërisë dhe e të drejtave themelore. Në këtë kuadër, trajnimi synon të nxisë një kulturë arsyetimi dhe dialogu ndërgjyqësor, e cila respekton ndarjen funksionale të kompetencave, sigurinë juridike, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen efektive kushtetuese.

Metodologjia e trajnimit është interaktive dhe e orientuar drejt diskutimit. Përveç prezantimeve të strukturuara, pjesëmarrësit do të angazhohen në analizën e rasteve konkrete, diskutime të moderuara dhe ushtrime reflektuese mbi situata ku një mosmarrëveshje administrative mund të marrë dimension kushtetues. Qëllimi është të zhvillohet aftësia për të dalluar gabimin e zakonshëm ligjor nga cenimi kushtetues, për të përdorur në mënyrë të saktë jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe për të ndërtuar arsyetime që ruajnë ekuilibrin ndërmjet juridiksioneve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Marrëdhënia ndërmjet juridiksionit administrativ dhe juridiksionit kushtetues, kontrolli i ligjshmërisë dhe kontrolli i kushtetutshmërisë, roli i ankimit kushtetues individual;
  • Kufijtë e kontrollit të Gjykatës Kushtetuese mbi vendimet e Gjykatës së Lartë procesi i rregullt ligjor dhe standardi i arsyetimit dallimi ndërmjet gabimit ligjor dhe cenimit kushtetues;
  • Rreziku i shndërrimit të Gjykatës Kushtetuese në instancë të katërt rivlerësimi i fakteve dhe provave, interpretimi i ligjit të zakonshëm si kompetencë e gjykatave të zakonshme nevoja për vetëpërmbajtje kushtetuese;
  • Funksioni kushtetues i Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor, interpretimi përfundimtar i ligjit të brendshëm njësimi dhe zhvillimi i praktikës gjyqësore, siguria juridike, barazia dhe koherenca e sistemit;
  • Efektet praktike të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ndaj vendimeve të Gjykatës së Lartë, kufijtë e rigjykimit detyrimi për respektimin e standardit kushtetues pa zëvendësuar funksionin e Gjykatës së Lartë;
  • Dialogu ndërgjyqësor ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese dialog si marrëdhënie funksionale, jo hierarki institucionale plotësimi reciprok i funksioneve në mbrojtjen e shtetit të së drejtës;
  • Efekti i vendimeve të Gjykatës së Lartë si pjesë e interpretimit të brendshëm të ligjit rëndësia e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në formësimin e standardit ligjor ndikimi i saj në sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë e vendimmarrjes;
  • Qasja evropiane mbi ndarjen e funksioneve ndërmjet gjykatës më të lartë dhe gjykatës kushtetuese doktrina e mosveprimit si “instancë e katërt”, respektimi i interpretimit të së drejtës së brendshme nga gjykatat më të larta, kufiri kur çështja e ligjshmërisë merr dimension kushtetues;
  • Kultura e arsyetimit dhe njohja reciproke e standardeve si lexohen dhe integrohen vendimet e njëra-tjetrës,  shmangia e formalizmit dhe e konfliktit artificial ndërmjet juridiksioneve;
  • Çështjet administrative me dimension kushtetues aksesi në gjykatë, barazia, proporcionaliteti dhe siguria juridike roli i arsyetimit substancial në mbrojtjen e të drejtave themelore;
  • Standardet praktike për gjyqtarë, prokurorë dhe këshilltarë ligjorë, si identifikohet çështja kushtetuese brenda një mosmarrëveshjeje administrative, si përdoret jurisprudenca e Gjykatës së Lartë pa cenuar hapësirën e kontrollit kushtetues.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, inspektorë dhe ndihmës inspektorë nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, si dhe këshilltarë ligjore nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë.